Me këtë mënyrë të pagesës, banorët e regjionit të Mitrovicës faturën e ujit e kanë pa tarifë

Falë marrëveshjes së realizuar ndërmjet institucionit IBAS dhe Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, banorët e këtij regjioni mund të paguajnë faturat e ujësjellësit pa tarifë shtesë. Ky nuk është përfitimi i vetëm, sepse përmes IBAS ata mund të paguajnë nga kudo që janë dhe kurdo që dëshirojnë.

Përfaqësuesi i IBAS, Safet Deliu, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se IBAS e ka ofruar mundësinë e realizimit të pagesës në distancë dhe pa asnjë shpenzim shtesë.

“Përmes kësaj marrëveshje u kemi mundësuar banorëve të këtij regjioni që pagesat t’i kryejnë 24/7 dhe madje pa asnjë provizion shtesë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, krye shefi ekzekutiv i KURM-së, Bashkim Kurti, ka thënë se kjo marrëveshje është bërë me qëllim të lehtësimit të mënyrës së pagesës së ujësjellësit.

“Kjo kontratë ka të bëjë me lehtësimet për konsumatorët e ujësjellësit të cilët tani e tutje, pagesat e tyre për faturat e shërbimeve të ujësjellësit do të mund t'i bëjnë online pa asnjë shpenzim apo provizion shtesë”, ka thënë ai.

Pagesat përmes IBAS realizohen online me anë të aplikacionit të tij, i cili mund të shkarkohet në App Store apo në Play Store. Hapja, mirëmbajtja dhe verifikimi i llogarisë në IBAS janë pa pagesë.