Fazat e investimit në aksione tek bizneset

Përveç një ideje të mirë biznesi, zhvillimi dhe rritja e një kompanie kërkon kohë, kompetencë, disiplinë, përkushtim dhe më e rëndësishmja, financim. Jo shumë kohë më parë, mundësitë për investime ishin të pakta, por viteve të fundit kjo rrethanë ka ndryshuar shumë. Krahas rritjes së mundësive të investimeve është mirë-strukturuar edhe procesi i investimeve. Sipas praktikave të industrisë, ky proces ndahet në këto faza:

1. Faza e investimit të hershëm (Pre-Seed Funding)

Faza e investimit të hershëm është faza e parë në ciklin e zhvillimit të kompanisë. Ajo i referohet periudhës kohore në të cilën një kompani fillon operimin. Duke qenë se në këtë fazë kompania është në hapat e parë, shumë shpesh ajo nuk konsiderohet si fazë e investimit. Pronarët e kompanive investojnë nga xhepi i tyre dhe mundohen që ta realizojnë idenë e tyre të biznesit në mënyrën më të mirë të mundshme. Investitorë tjerë të mundshëm në këtë fazë janë familja, miqtë, apo ndërmarrjet e kapitalit të fazës së hershme (Early Stage Venture Capital).

Gjatë kësaj faze, që ndryshe njihet si “Bootstrapping”, kompania bën analiza të tregut të synuar, me qëllim të përshtatjes së idesë bazuar në nevojat dhe kërkesat konsumatore. Ndërmarrësit ose themeluesit e kompanisë përdorin të gjitha burimet ekzistuese në dispozicion për zhvillimin e një biznes plani të suksesshëm. Ata mund të konsultohen me ndërmarrës tjerë me përvoja të ngjashme dhe të marrin udhëzime. Kjo ua mundëson atyre të përcaktojnë kostot e projektit si dhe të shpalosin ide për realizimin e një modeli të suksesshëm biznesi. Rrjedhimisht, gjatë kësaj faze bëhet përgatitja e planit të biznesit, marrëveshjeve të partneritetit dhe të gjitha çështjeve tjera ligjore. Kjo i përgatit ndërmarrësit që të bëjnë një prezantim sa më të mirë të kompanisë para investitorëve potencial.

Gjatë fazës së investimit të hershëm, kompanitë kanë një biznes që ka vlerë nga 10,000 deri në 100,000 euro.

2. Faza e investimit fillestar (Seed Funding)

Faza e investimit fillestar është faza e parë e financimit të kompanive, që ndryshe njihet si “Seed financing”. Kjo fazë mund të konsiderohet si një analogji e mbjelljes së një peme. Idealisht, investimi fillestar është "fara" që mundëson “lulëzimin” e një kompanie. “Ujitja e duhur”, pra strategjia e suksesshme e biznesit, krahas përkushtimit të ndërmarrësit, mundëson që kompania përfundimisht të rritet si një "pemë".

Në këmbim të investimeve, kompanitë u ofrojnë investitorëve pronësi apo aksione në kompani. Duke qenë se në këtë fazë kompanitë nuk mund të garantojnë një model të suksesshëm biznesi, investimi në një biznes që sapo ka filluar paraqet rrezik më të madh për investitorët. Por, nga ana tjetër, nëse kompania ka sukses edhe përfitimi është i madh. Kjo sepse shuma e aksioneve të marra apo të këmbyeshme në këtë fazë është më e madhe, për të njëjtën shumë të investimit sesa ajo në fazë të më vonshme.

Në këtë fazë, investimi kryesisht destinohet në rekrutimin e personelit, krijimin dhe lansimin e produktit, marketingut dhe zhvillimit të tregut dhe aktivitete tjera që e përgatisin kompaninë për një konkurrueshmëri më të madhe. Gjatë fazës së investimit fillestar, zakonisht investojnë shokët dhe familja, investitorët engjëj (Angel Investors), ndërmarrjet e kapitalit të hershëm (Early Stage Venture Funds) dhe “Crowdfunding”.

Kompanitë që kualifikohen për investim fillestar kanë një biznes që ka vlerë nga 3 milionë deri në 6 milionë euro. Faza e investimit fillestar mundëson mbledhjen e fondeve për kompanitë premtuese nga 50,000 euro deri në 3 milionë euro.

3. Faza e investimit të Serisë A

Faza e investimit të Serisë A është raundi i parë i financimit përmes ndërmarrjeve të kapitalit (Venture Capital). Në këtë fazë, kompania duhet të ketë një produkt të zhvilluar, klientelë, të ardhura stabile si dhe një plan të gjenerimit të fitimeve afatgjata. Kompanitë synojnë serinë A të investimit sepse kjo është një mundësi ideale për zgjerim në tregje të ndryshme.

Investimi në këtë fazë vjen kryesisht nga investitorët engjëj (Angel Investors) dhe firmat tradicionale të ndërmarrjeve të kapitalit (Venture Capital). Shumica e investitorëve të lartpërmendur nuk janë në kërkim të “ideve të shkëlqyera”, por në kërkim të kompanive me një strategji të qëndrueshme biznesi që gjeneron të ardhura, duke i mundësuar atyre kthimin e investimeve.

Gjatë fazës së investimit të Serisë A, kompanitë me një plan të mirë biznesi që kanë vlerë nga 10 milionë euro deri në 30 milionë euro mund të mbledhin fonde përafërsisht 15 milionë euro.

4. Faza e investimit të Serisë B

Kompanitë që kalojnë nëpër fazat e mëparshme të investimit (investimi fillestar dhe Seria A) tashmë kanë krijuar një klientelë të besueshme dhe rrjedhë të qëndrueshme të të ardhurave. Ata e kanë dëshmuar veten para investitorëve se mund të arrijnë sukses në një shkallë më të lartë. Faza e investimit të Serisë B u mundëson kompanive të rriten në mënyrë që të mund të plotësojnë kërkesat e ndryshme të klientëve të tyre dhe gjithashtu të konkurrojnë në tregje më agresive.

Kjo fazë është e ngjashme me fazën e mëparshme për sa i përket proceseve dhe pjesëmarrësve, megjithatë dallimi kryesor është rritja e numrit të investitorëve potencial të ndërmarrjeve të kapitalit (Venture Capital), të cilat janë të fokusuara më shumë tek investimet në kompani tashmë stabile. Investitorët e mundshëm në këtë fazë janë ndërmarrjet e kapitalit dhe ndërmarrjet e kapitalit të fazës së vonshme (Late Stage Venture Capital).

Gjatë fazës së investimit të serisë B, kompanitë me një model të mirë të gjenerimit të të ardhurave, që kanë vlerë nga 30 milionë euro deri në 60 milionë euro mund të mund të mbledhin investime deri në 30 milionë euro.

5. Faza e investimit të Serisë C

Kompanitë që arrijnë në fazën e investimit të Serisë C janë në fazën e tyre të rritjes. Këto kompani kërkojnë rritje kapitali për krijimin e produkteve të reja, zgjerim në tregje të reja, apo edhe blerjen e kompanive (me performancë të dobët) të industrisë së ngjashme.

Në këtë fazë, numri i investitorëve të interesuar rritet dukshëm, sepse kompania tashmë ka dëshmuar një performancë të suksesshme dhe kthimi i investimit pritet të jetë i lartë. Investitorë të rinj investojnë shumë të konsiderueshme parash, për të siguruar pozicionin e tyre si investitorë kryesorë. Investitorët e mundshëm janë ndërmarrjet e kapitalit të fazës së vonshme (Late Stage Venture Capital), firmat e kapitalit privat (Private equity firms), “Hedge Funds” dhe bankat.

Kompanitë që kanë treguar rritje e që kanë vlerë nga 100 milionë euro deri në 120 milionë euro, mund të mbledhin fonde rreth 50 milionë euro gjatë fazës së financimit të Serisë C.

6. Faza e investimit të Serisë D

Jo shumë kompani kanë nevojë për të kaluar në këtë fazë. Faza e investimit të serisë D u mundëson kompanive të mbledhin fonde për një situatë të veçantë. Për shembull, në rast se kompania nuk ka arritur ende qëllimin e rritjes me fondet e fazës paraprake, ose nëse parasheh bashkim me ndonjë kompani, atëherë ajo mund të kërkojë fonde shtesë. Investitorët e mundshëm në këtë fazë janë të njëjtit me ata të fazës paraprake.

Kompanitë në këtë fazë kanë vlerë nga 150 milionë euro deri në 300 milion euro dhe mund të mbledhin fonde përafërsisht 100 milion euro.

7. Oferta Fillestare Publike (IPO)

IPO është procesi i ofrimit të aksioneve të korporatave për publikun e gjerë. Kompanitë në rritje, që kanë nevojë për investim, shpesh e përdorin këtë proces për të rritur kapitalin, ndërsa korporatat me një pozicion të mirë e përdorin atë për t’ju mundësuar pronarëve të kompanive të dalin nga një pjesë, ose e gjithë pronësia e tyre, më lehtë.

Para Ofertës Fillestare Publike (IPO) formohet një ekip i jashtëm i cili përbëhet nga avokatë, kontabilistë të certifikuar dhe ekspertë të SEC (Securities and Exchange Commission) ose organizatave të ngjashme. Këto ekipe përgatisin dhe përpilojnë informacione të besueshme për performancën financiare të kompanisë, si rezultat i auditimeve të pasqyrave financiare dhe hulumtimeve relevante që nxjerrin në pah shëndetin e kompanisë që pretendohet të dalë në shitje publike.

Aplikimin për emetimin e aksioneve mund ta bëni duke vizituar www.ibas.world. Sapo të hyni, ju shfaqet dritarja “Rrite kapitalin me aksione ose obligacione”. Klikoni “Apliko”, pastaj plotësoni fushat e nevojshme. Pasi të plotësoni të dhënat tuaja, klikoni përsëri “Apliko”.