Dëftesat tregtare, llojet, përparësitë dhe mangësitë e tyre

Çka janë dëftesat tregtare?

Dëftesa tregtare është një instrument borxhi afatshkurtër, i pasiguruar, i emetuar nga bizneset. Zakonisht përdoret për financimin e detyrimeve afatshkurtra si pagat, llogaritë e pagueshme dhe inventari ose malli për shitje (Baklanova, et al., 2020).

Dëftesa tregtare specifikon një shumë parash që duhet kthyer deri në një datë të caktuar (maturim). Vlera minimale e dëftesave tregtare zakonisht është 100,000 dollarë, ndërsa afatet e maturimit ose kthimit zgjasin nga 1 deri në 270 ditë (Baklanova, et al., 2020). Mesatarisht, afati i kthimit është 30 ditë (Hayes, 2022).

Si funksionojnë dëftesat tregtare?

Dëftesa tregtare për herë të parë u prezantua rreth 150 vite më parë, kur tregtarët e New York-ut filluan të shesin detyrimet e tyre afatshkurtra tek agjentët e shitjes, në mënyrë që të kenë kapital të mjaftueshëm për mbulimin e detyrimeve afatshkurtra.

Agjentët e shitjes, ose ndërmjetësit, blenë letrën (e njohur edhe si kambial) me një zbritje nga vlera nominale, që ndryshe njihet si vlera “Par”. Ata më pas ia shitën letrën bankave dhe investitorëve të tjerë. Tregtarët u paguanin investitorëve një shumë të barabartë me vlerën nominale. Për shembull, merrnin një dëftesë tregtare prej disa përqind më pak dhe e shisnin për vlerën e përshkruar në dëftesë.

Dëftesa tregtare nuk mbështetet nga asnjë formë kolaterali, gjë që e bën atë borxh të pasiguruar. Ajo ndryshon nga dëftesat tregtare të mbështetura nga aktivet (Asset-backed commercial paper), një klasë e instrumenteve të borxhit të siguruar nga aktivet e zgjedhura nga emetuesi (Hayes, 2022). Megjithatë, mbetet në vlerësimin e palëve në transaksion se si dëshirojnë ta trajtojnë dhe sigurojnë raportin kontraktual të tyre.

Në cilindo rast, dëftesat tregtare emetohen vetëm nga kompanitë me vlerësime të larta nga agjencitë e vlerësimit të kredisë (Credit rating agencies) (Hayes, 2022). Këto kompani mund të gjejnë blerës lehtë, pa pasur nevojë të ofrojnë një zbritje të konsiderueshme për emetimin e borxhit. Blerës të dëftesave tregtare janë zakonisht korporatat e tjera, institucionet financiare dhe individët e pasur (Baklanova, et al., 2020).

Llojet e dëftesave tregtare

Ekzistojnë katër lloje të dëftesave tregtare: kambialet, draftet, çeqet dhe certifikatat e depozitës (CD) (Hayes, 2022).

Kambialet

Kambialet janë instrumente borxhi të shkruara nga njëra palë ndaj tjetrës, që premtojnë të paguajnë një shumë të caktuar parash deri në një datë të caktuar. Kambialet janë një mënyrë e zakonshme e emetimit të dëftesave tregtare.

Draftet

Drafti është një marrëveshje me shkrim midis tre palëve: një banke, një paguesi dhe një përfituesi. Banka udhëzon emetuesin e dëftesave tregtare që t'i paguajë huadhënësit (përfituesit) një shumë të caktuar parash në një kohë të caktuar.

Çeqet

Çeqet paguhen sipas kërkesës të bankës, jo sipas afatit kohor. Ato janë mënyra më e shpejtë për të emetuar dëftesa tregtare. Për këtë lloj të dëftesës tregtare, kompania emetuese udhëzon bankën që t'i japë marrësit një shumë të caktuar parash në një moment të caktuar kohor.

Certifikatat e depozitave

Certifikatat e depozitave janë dokumente monetare, përmes të cilave banka pohon se ka marrë një shumë parash të depozituara nga një investitor. Banka pranon t'i kthejë këto para si dhe interesin në një kohë të caktuar në të ardhmen. Në certifikatë specifikohet norma e interesit dhe data e maturimit.

Përparësitë e dëftesave tregtare

Përparësia kryesore e dëftesave tregtare është se ato nuk kanë nevojë të regjistrohen në Komisionin e Shkëmbimit të Letrave me Vlerë (SEC), përderisa koha e maturimit nuk i tejkalon 270 ditë. Një gjë e tillë i bën ato një mjet të thjeshtë financimi. Megjithëse maturimet mund të zgjasin deri në 270 ditë para se të hyjnë në kompetencën e SEC-së, maturimet për dëftesat tregtare mesatarisht zgjasin rreth 30 ditë (Hayes, 2022).

Dëftesa tregtare është gjithashtu më e lehtë për t'u trajtuar, në krahasim me përpjekjen, kohën dhe paratë e përfshira në marrjen e një kredie biznesi. Ajo u ofron emetuesve avantazhin e normave më të ulëta të interesit, ndërkaq investitorëve u ofron një rrezik të ulët mospagimi. Dëftesat tregtare ofrojnë një mënyre efektive të diversifikimit të portfolios.

Mangësitë e dëftesave tregtare

Kompanitë duhet të kenë notë jashtëzakonisht të mirë (kreditore) për të emetuar dëftesa tregtare. Pra, jo të gjitha bizneset kanë mundësinë e emetimit të tyre. Për më tepër, të ardhurat nga ky lloj financimi mund të përdoren vetëm për aktivet rrjedhëse ose inventarët. Ato nuk lejohen të përdoren për asete fikse, pa përfshirjen e SEC (Hayes, 2022).

Normat e ulëta të interesit për emetuesit nënkuptojnë norma të ulëta kthimi për investitorët. Gjithashtu, për shkak të vlerës jo të vogël të tyre, dëftesa tregtare nuk është lehtë e disponueshme për investitorët më të vegjël. Megjithatë, ata mund të investojnë në mënyrë indirekte përmes kompanive që blejnë dëftesa tregtare.

Dëftesat tregtare kundrejt obligacioneve

Të dyja janë instrumente borxhi. Megjithatë, ka dallime të rëndësishme midis tyre. Maturimi i dëftesave tregtare zgjat nga një deri në 270 ditë, ndërkaq obligacionet kanë maturim nga një deri në 30 vjet (CFI Team, 2022)

Dëftesa tregtare nuk ka pagesa periodike. Gjithçka paguhet me një pagesë në maturim (Hayes, 2022), ndërkaq obligacionet paguajnë interes në intervale të rregullta (Parker, 2022).

Një shembull i dëftesës tregtare

Supozojmë se një kompani ndërtimi po kërkon fonde afatshkurtra për të financuar furnizimin me material ndërtimor. Kompania ka nevojë për 100,000 euro. Ajo u ofron investitorëve dëftesa tregtare me një vlerë nominale prej 105,000 euro. Kur letra tregtare maturon, investitorët marrin një pagesë interesi prej 5,000 euro së bashku me 100,000 euro që kanë dhënë hua. Kjo është e barabartë me një normë interesi prej 5%. Kjo normë interesi mund të përshtatet në raport me kohën, varësisht nga numri i ditëve për të cilat dëftesa tregtare është e papaguar (Outstanding).

A është dëftesa tregtare një lloj borxhi?

Po. Dëftesa tregtare është borxh afatshkurtër dhe i (pa)siguruar i emetuar nga institucionet që duan të rrisin kapitalin e nevojshëm për një periudhë të shkurtër kohore. Është një alternativë kundrejt marrjes së një kredie biznesi.

Kush janë blerësit kryesorë të dëftesave tregtare?

Për shkak të shumës jo të vogël të emetimeve blerësit kryesorë të dëftesave tregtare janë institucionet e mëdha. Sipas SEC, këto institucione përfshijnë: kompanitë e investimeve, fondet e kursimeve pensionale (Retirement accounts), qeveritë shtetërore dhe lokale, institucionet financiare dhe jo financiare (Baklanova, et al., 2020). Edhe individët mund të jenë blerës të dëftesave tregtare.

Si investojnë individët në dëftesa tregtare?

Meqë shuma e investimit minimal është zakonisht jo e vogël, mënyra më e mirë e investimit në dëftesa tregtare për investitorët me shuma më të vogla është vendosja e parave në kompanitë që blejnë dëftesa tregtare. Këtu bëjnë pjesë fondet e tregut të parasë (Money market funds), fondet e përbashkëta (Mutual funds) dhe “Exchange-traded funds” (Hayes, 2022).

Përmbledhje

Dëftesa tregtare është borxh i pasiguruar me afat të shkurtër maturimi (deri në 270 ditë), i emetuar nga kompanitë me notë kreditore të lartë. Ajo ofron një mundësi më të leverdishme për të mbledhur fonde për pagimin e shpenzimeve afatshkurtra, në krahasim me marrjen e një kredie biznesi.

Dëftesa tregtare mund të jetë gjithashtu më e leverdishme për emetuesit për shkak të normës së ulët të interesit dhe maturimit të shpejtë. Edhe pse kjo normë nuk është gjithmonë aq tërheqëse për investitorët, ajo mund të ketë një kthim më të lartë se ai i ofruar nga disa obligacione (p.sh Bonot e Thesarit) (Hayes, 2022). Gjithashtu, është një opsion investimi që mund të ndihmojë në diversifikimin e portfolios.

Dëftesa tregtare mund të shihet si një investim me rrezik të ulët, për shkak të notës së lartë kreditore të emetuesve. Megjithatë, duhet pasur parasysh se si çdo investim tjetër, edhe ai përfshin një shkallë rreziku (Hayes, 2022).