Nëntor 7, 2025, Köln, Gjermani – Në një ngjarje të veçantë të organizuar nga GERMIN dhe GIZ – MEG (Programi për Migracionin e Orientuar drejt Zhvillimit), në bashkëpunim me organizatat partnere URACult e.V. Köln, ODA e.V. Hamburg, OASA e.V. Berlin, Shoqëria DIJA e.V. dhe HorizontAL e.V. Frankfurt, z. Gazmend Selmani, Drejtor i Përgjithshëm i IBAS, në panelin “Teknologjia & Inovacioni – Lidhja e Tregjeve dhe Ekosistemeve” shpalosi fushëveprimin e IBAS dhe ndikimin që zgjidhjet e saj kanë në cilësinë e jetës dhe konkurrueshmërinë.

Para një audience elitare, të përbërë nga gra e burra – secili më i zoti se tjetri në fushën e vet – z. Selmani theksoi se mitet se shqiptarët nuk krijojnë apo shtojnë vlerë duhet të pensionohen përfundimisht.
“Audienca e kësaj salle tregon më së miri se si kulmojnë sukseset e shqiptarëve, kudo që janë ata. IBAS është dëshmi konkrete se inovacioni, profesionalizmi dhe guximi kanë ndërtuar ura digjitale financiare që lidhin mërgatën me Kosovën, brenda sekondave,” – u shpreh Selmani në fjalën e tij.

Në këtë ngjarje, ku morën pjesë qindra profesionistë nga diaspora shqiptare, drejtues biznesesh, përfaqësues të institucioneve financiare dhe sipërmarrës të rinj, Selmani ndau mundësitë e IBAS për krijimin e një ekosistemi financiar të hapur dhe pa kufij, që lidh mërgatën me vendin e origjinës përmes teknologjisë digjitale.
Gjatë takimeve të shumta, z. Selmani njoftoi audiencën se si IBAS mundëson hapjen dhe menaxhimin e plotë të llogarive bankare, marrjen e kredive, pagesat dhe transferet ndërkombëtare, këshillimit për investime – të gjitha përmes një aplikacioni mobil, pa nevojë për praninë fizike të klientit.
Në fjalën e tij, ai i dha zë të veçantë rolit të diasporës, duke theksuar se Kosova mbijetoi, u çlirua dhe u zhvillua me përfshirje të lartë të diasporës. “Tani ka ardhur koha që Kosova dhe diaspora të kalojnë në etapën e radhës – atë të partneritetit të qëndrueshëm, sepse kapacitetet profesionale tashmë janë pjekur, në të dy anët,” – shtoi Selmani.

Ngjarja në Köln shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të IBAS dhe në forcimin e bashkëpunimit me mërgatën shqiptare në Evropë. Në përmbyllje, Selmani falënderoi organizatorët dhe partnerët për mikpritjen, duke theksuar se bashkëpunime të tilla janë ura të reja mes kapitalit njerëzor, dijes dhe zhvillimit ekonomik të shqiptarëve kudo në botë.

